Përmbajtja e librit: 

Rregullat drejtpërdrejt (§): 

§ 72

« § 71 § 73 »

Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat e mbiemrat e përveçëm, të cilët, megjithëse përdoren për të shënuar një kategori të caktuar njerëzish, nuk janë kthyer në emra të përgjithshëm: 

janë të rrallë në histori Gjergj Kastriotët; kemi edhe ne Homerët tanë; një Promete i ditëve tona etj. 

Shënim. Kur emrat e përveçëm të njerëzve janë kthyer në emra të përgjithshëm që shënojnë tipin përkatës, shkruhen me shkronjë të vogël: 

ciceron, donkishot, gobsek, harpagon, kuisling, mecen, mentor etj. 

Me shkronjë të vogël shkruhen edhe emërtimet e njësive të matjes, të mjeteve teknike, të sendeve etj., të cilat burojnë nga emra të përveçëm: 

amper-i, om-i, vat-i, volt-i, zhul-i; dizel, ford, mauzer, rëntgen etj.